Depilimi me laser
Depilimi me laser

Me depilim nënkuptohet një procedurë e aplikuar në qimet ekzistuese, e cila nuk është definitive dhe e përhershme, por e zgjatur në kohë e që kërkon mirëmbajtje.

Theksojmë se shkencërisht nuk është e mundur të garantohet eliminimi total i të gjitha qimeve, për gjithë jetën, por një reduktim i theksuar dhe afatgjatë i tyre, duke patur si objektiv një proces gradual të depilimit definitiv.

Depilimi me laser realizohet duke aplikuar një tufë të dritës së laserit në zonën e lëkurës e cila duhet trajtuar. Kjo dritë duhet të jetë e fuqishme dhe e përqendruar sa ta shkatërrojë rrënjën e qimes, por njëkohësisht të mos e dëmtojë lëkurën rreth saj. Drita e laserit përthithet nga melanina (pigmenti i zi) që përmban qimja, prandaj kjo metodë nuk aplikohet te personat me qime të bardha, të thinjura, të kuqe apo të verdha.

Nga studimet shkencore eshtë vërtetuar se laser DIODE 808 nm garanton rezultatet më të mira dhe është pajisja më efikase nga laserat e tjerë. Përvec kësaj, ky lloj laseri është i vetmi i cili mund të aplikohet edhe në lëkurë me ngjyrë të errët apo të nxirë nga Dielli. Mekanizmi i veprimit të tij konsiston në emëtimin e një impulsi drite, i cili përthithet nga qimja dhe tejçohet deri në rrënjë, aty ku ndodhen dhe enët e vogla të gjakut, të cilat ushqejnë rrënjën dhe qimen. Gradualisht, seancë pas seance, këto enë gjaku shkatërrohen së bashku me rrënjën e si pasojë qimja nuk ushqehet dhe fillon të dobësohet, del më vonë në kohë, më e hollë, më e butë dhe më e zbehtë. Në rreth 50 – 80% të rasteve rrënja eliminohet totalisht e nuk prodhon më qime.

Seancat: Zakonisht rekomandohen 6 – 10 seanca, të cilat bëhen në një distancë prej 21 – 28 ditësh nga njëra-tjetra. Sidoqoftë, në varësi të shumë faktorëve individualë dhe zonave që trajtohen, ndonjëherë mund të nevojiten edhe më tepër seanca depilimesh, apo seanca mirëmbajtje pas një kohë të gjatë.

Parapërgatitja: Ështe e domosdoshme të hiqen qimet me brisk 1 – 2 ditë përpara kryerjes së seancës, në mënyrë që laseri të veprojë në pjesën më të madhe të qimeve dhe rezultati të jetë optimal.

Trajtimi: Para seancës së depilimit, pjesa e lëkurës që do të trajtohet do të lyhet me xhel dhe infermierja do të vazhdojë duke aplikuar sondën e pajisjes laser përgjatë zonës së interesuar. Sonda e laserit do të kalohet disa herë dhe gjatë procedurës do të ndjeni ngrohje të lëkurës si dhe një skuqje të lehtë të saj.

Efektet anësore: Janë shumë të rralla dhe kalimtare si irritim ose skuqje e lehtë e zonës së aplikimit, zona hiperpigmentimi ose hipopigmentimi. Efekte anësore madhore nuk ka sepse fluksi i dritës është programuar që të penetrojë deri në rrënjën e qimes dhe jo më thellë.

Veprimi: Laseri DIODE 808nm vepron më së miri në qimet e zeza dhe të trasha sidomos në njerëz me lëkurë të bardhë. Nuk ka rezultat në qimet e bardha dhe si push. Programimi i aparaturës është i personalizuar për secilin klient në bazë të ngjyrës së lëkurës, ngjyrës së qimes, trashësisë dhe shpeshtësisë së qimeve.

Kundërindikacionet: Laseri nuk këshillohet të përdoret gjatë periudhës së shtatzënisë, në personat me hipersensitivitet ndaj dritës, në personat e ekspozuar në diell apo në solar.

Rezultati: Varet nga shumë faktorë të cilët nuk është e mundur të parashikohen me saktësi si ngjyra e qimes, trashësia dhe gjatësia e saj, ngjyra e lëkurës, zona që trajtohet, reagimi i organizmit gjatë trajtimit, problemet hormonale, barna që mund të merren, patologji të ndryshme, energjia e laserit, eksperienca e staffit, etj. Te personat me lëkurë të bardhë e me qime të errëta rezultatet janë më të mira dhe i tillë konsiderohet reduktimi i qimeve rreth 70 – 80%, ndërsa pjesa e mbetur e tyre rreth 20 – 30% bëhen të holla, të buta, të rralla e të zbehta. Për të kuptuar rezultatin që duhet të presim nga laseri është e nevojshme të njohim fazat e rritjes së qimes:

  • Anagene (faza aktive e rritjes) e cila zgjat disa vite dhe në çdo kohë rreth 85% e qimeve janë në këtë fazë.
  • Katagene (faza regresive apo e rënies) e cila zgjat 2 – 3 javë. Gjatë kësaj faze qimet nuk rriten më dhe në çdo kohë rreth 3 – 4 % e qimeve në trup janë në këtë fazë.
  • Telogene (faza e pushimit) e cila zgjat 5 – 6 javë dhe në fund të saj qimet bien e fillojnë të dalin të rejat.

Pajisja laser arrin të godasë vetëm qimet që ndodhen në fazën anagene të ciklit.

Ke nevojë për ndihmë? Më shkruaj