Rimodelimi i hundës
Rimodelimi i hundës

Rinoplastika është operacioni i cili ka për qëllim të përmirësojë pamjen estetike të hundës dhe si rrjedhojë të gjithë fytyrës, në mënyrë harmonike duke respektuar plotësisht proporcionet e saj. Njëkohësisht, mund të korrigjohen edhe defekte funksionale të hundës për përmirësimin e frymëmarrjes.

Koncepti modern i rinoplastikës ndryshon shumë nga ndërhyrjet e kryera në të shkuarën, ku sipas kanoneve tradicionale, kryhej një zvogëlim i përgjithshëm, shpesh i tepruar, i strukturës mbajtëse të hundës. Sot arti i rinoplastikës qëndron mbi të gjitha në respektimin e integritetit funksional të organit (frymëmarrja me hundë) e në të njejtën kohë në përmirësimin estetik të saj. KEIT aplikon ekskluzivisht vetëm teknikën e mbyllur dhe në rastet e një udhëzimi të saktë e preçiz edhe teknikën moderne mini-invazive “preservation rhinoplasty”, të cilat mundësojnë një rezultat optimal pa asnjë shenjë të dukshme. Për më tepër, në duar eksperte, këto teknika realizohen në një hapësirë kohore më të shkurtër se teknika e hapur e për këtë arsye ndërhyrja rezulton më pak traumatike, ka më pak të nxira e të ënjtura, më pak barna anestezie e rrjedhimisht edhe më pak rrezik për të vjella e marrje mendsh. Tashmë është vërtetuar shkencërisht që edhe rikuperimi në periudhën post- operatore është më i shpejtë e natyral me teknikën e mbyllur.

Vetë pozicioni qendror i hundës në të gjithë fizionominë e fytyrës si dhe dimensionet e saj të vogla, e klasifikojnë këtë operacion si ndër më të komplikuarit në fushën e kirurgjisë estetike. Për këto arsye, kjo ndërhyrje kirurgjikale veçanërisht delikate, duhet kryer nga duar eksperte, pasi dëmet e shkaktuara nga kirurgë të pa-përgjegjshëm janë të vështira për t’u riparuar.
Shpesh, këto deformime mbeten të përhershme, plotësisht të dukshme dhe janë praktikisht të pamundura për t’u mbuluar.

Në rastet që shoqërohen dhe me vështirësi në frymëmarrje (septum i devijuar si pasojë e traumës apo devijim i lindur) këshillohet të sistemohet devijimi me anë të ndërhyrjes së rinoseptoplastikës që konsiston në korrigjimin e elementit estetik dhe funksional të hundës.

Çfarë duhet të dimë rreth ndërhyrjes?

  • Përpara ndërhyrjes kryhen egzaminimet pre-operatore (hemokromi dhe grupi i gjakut, testet e koagulimit të gjakut, testet biokimike, virale, analizat e urinës, vizita me kardiologun dhe EKG-ja e zemrës, vizita me anestezistin, etj.).
  • KEIT aplikon anestezi gjenerale totalisht endovenoze, e cila mban tensionin e gjakut të ulur, duke minimizuar gjakrrjedhjen e të nxirat, redukton në maksimum rrezikun për të vjella e marrje mendsh dhe për këtë lloj operacioni është më e sigurt e më komode për pacientin, si dhe bën të mundur që edhe kirurgu të punojë në kushte optimale.
  • Ndërhyrja kryhet me teknikën e mbyllur, pa asnjë shenjë të jashtme.
  • Zgjat 40 – 90 minuta.
  • Një natë qëndrimi në klinikë.
  • Dhembje aspak ose të lehta e mëse të durueshme.
  • Të nxira dhe ënjtje të vogla rreth syve që largohen gradualisht brenda 6 – 12 ditësh.
  • Mbajtja e tamponave për 3 – 5 ditë (KEIT përdor tamponë të gjeneratës së fundit që mundësojnë frymëmarrje të lirshme menjëherë pas operacionit).
  • Mbajtja e suportit plastik për 7 – 10 ditë.
  • Mbajtja e steristripëve (ngjitësa të holla që vendosen pas heqjes së suportit plastik) për 3 – 5 ditë.
  • Periudhë rikuperimi e shpejtë, me përmirësim gradual të pamjes së hundës, rezultati konsiderohet final 6 – 10 muaj pas operacionit.

Këshillat pas operacionit:

  • Përdorim i antibiotikëve zakonisht deri 5 ditë pas operacionit.
  • Përdorimi i akullit natën e kirurgjisë për 10 minuta çdo 1 – 2 orë.
  • Lavazhe me ujë fiziologjik brenda tamponave si dhe ditën që hiqen deri 3 – 4 javë në vijim.
  • Aplikim i masazheve për të ndihmuar çënjtjen e hundës pas heqjes së suportit plastik.
  • Syzet (optike apo të diellit) mund të vendosen menjëherë pas ndërhyrjes kirurgjikale duke u mbështetur mbi suportin plastik. Pasi hiqet ky i fundit, mund të vendosen syzet, por duke aplikuar mbi hundë një copë kartoni të vogël mbi të cilin duhet të mbështeten syzet, deri për 1 muaj pas operacionit. Më tej syzet mund të mbahen lirshëm.
  • Përdorimi i kremit mbrojtës ndaj diellit me faktor SPF: 50.
  • Rifillimi i aktiviteteve fizike (palestra, sporti) një muaj pas ndërhyrjes kirurgjikale.
  • Rikontrollet me staffin e KEIT sipas protokolleve të klinikës.
Ke nevojë për ndihmë? Më shkruaj