Rimodelimi i barkut
Rimodelimi i barkut

Edhe te meshkujt relaksimi i lëkurës në zonën e barkut është një situatë e përhapur sidomos tek ata persona që kanë patur humbje të menjëhershme në peshë. Një bark i butë, i varur dhe i dhjamosur është shpesh rezultat i një humbje peshe të konsiderueshme brenda një kohe relativisht të shkurtër, i një mënyre jetese të gabuar, me pasivitet fizik dhe ushqim të tepërt.

Lëshimi i lëkurës është shkalla më e vogël e deformimit të barkut, të cilën mund ta vërejmë edhe tek të rinjtë. Lëkura e tepërt është e përqëndruar kryesisht në zonën poshtë kërthizës në të dy anët e barkut. Lëshimi i muskujve dhe i lëkurës është situata më ekstreme. Barku varet shumë dhe vërehet hapja e lëshimi i muskujve rectus që mbajnë pjesën qendrore të murit abdominal si dhe varje e lëkurës me dhjamë të tepërt. Shpesh, në të tilla raste dieta apo aktiviteti fizik nuk arrijnë të japin rezultate të kënaqshme pasi lëkura e tepërt varet akoma më shumë. Për ata që kanë humbur shumë në peshë, e vetmja zgjidhje për të hequr lëkurën e tepërt, është ajo e kirurgjisë estetike.

Abdominoplastika totale përfshin korrigjimin kirurgjikal të barkut, duke hequr lëkurën dhe dhjamin e tepërt, rikonstruktim të kërthizës si dhe plastikën dhe riforcimin e muskujve të barkut. Shpesh, për të rimodeluar të gjithë zonën e barkut, belit, vitheve apo dhe kofshëve, është i nevojshëm kombinimi i procedurave të abdominoplastikës dhe liposkulpturës.

Qëllimi i abdominoplastikës nuk është reduktimi i peshës trupore, megjithëse ky është edhe një prej rezultateve të operacionit, por rimodelimi i zonës së barkut dhe rikonstruktimi i muskujve abdominalë. Një efekt dytësor i ndërhyrjes kirurgjikale është edhe reduktimi apo në disa raste eliminimi i strijave të lëkurës, të cilat, kur është e mundur, hiqen me lëkurën e tepërt, duke e përmirësuar dukshëm aspektin e përgjithshëm.

Çfarë duhet të dimë rreth ndërhyrjes?

  • Përpara ndërhyrjes kryhen egzaminimet pre-operatore (hemokromi dhe grupi i gjakut, testet e koagulimit të gjakut, testet biokimike, virale, analizat e urinës, vizita me kardiologun dhe EKG-ja e zemrës, vizita me anestezistin, etj.).
  • KEIT aplikon anestezi gjenerale totalisht endovenoze, e cila mban tensionin e gjakut të ulur, duke minimizuar gjakrrjedhjen e të nxirat, redukton në maksimum rrezikun për të vjella e marrje mendsh dhe për këtë lloj operacioni është më e sigurt e më komode për pacientin, si dhe bën të mundur që edhe kirurgu të punojë në kushte optimale.
  • Zgjat rreth 2 – 4 orë.
  • Aplikohen drena të posaçëm për kullimin e gjakut.
  • Qëndrohet 1 – 2 netë në klinikë.
  • Dhembje të lehta-mesatare e mëse të durueshme.
  • Periudhë e shpejtë rikuperimi, me përmirësim gradual të pamjes së barkut. Rezultati konsiderohet final, zakonisht 4 – 6 muaj pas ndërhyrjes.
  • Të nxira dhe ënjtje në zonën e barkut që largohen gradualisht brenda 15 – 20 ditësh.
  • Shenja të vogla përreth kërthizës, si dhe një shenjë horizontale në pjesën e poshtme të barkut, pak më e gjatë se ajo e prerjes cezariane, të cilat zakonisht janë të holla e të zbehta.

Këshillat pas operacionit:

  • Përdorim i antibiotikëve zakonisht deri 5 ditë pas operacionit.
  • Heqja e drenave 2 – 5 ditë pas ndërhyrjes.
  • Mjekime çdo 3 – 4 ditë deri në mbylljen e plagëve.
  • Heqja e penjve 10 – 15 ditë pas ndërhyrjes.
  • Shmangia e lëvizjeve të sforcuara dhe ngritjeve të peshave për dy javë deri në 1 muaj pas ndërhyrjes.
  • Nuk duhet ngarë makina 1 – 2 javët e para pas ndërhyrjes.
  • Mbahet një korse elastike abdominale për 30 – 40 ditë.
  • Rifillimi gradual i aktivitetit fizik 1 – 2 muaj pas ndërhyrjes, sipas këshillave të staffit të KEIT.
  • Të shmanget ekspozimi i drejtpërdrejtë në Diell.
  • Rikontrollet me staffin e KEIT sipas protokolleve të klinikës.
Ke nevojë për ndihmë? Më shkruaj