Gjinekomastia
Gjinekomastia

Zhvillimi i gjoksit është një fenomen fiziologjik normal për çdo vajzë, por edhe te djemtë në moshën e pubertetit vërehet një farë aktiviteti i gjëndrës së gjoksit i cili, me kalimin e adoleshencës, ndërpritet deri sa gjëndra zvogëlohet dhe atrofizohet. Gjinekomastia është një situatë e karakterizuar nga zhvillimi i ekzagjeruar i gjëndrave të gjoksit (të përbëra nga ind i gjëndrës dhe dhjamë) te meshkujt. Për rreth 40% të djemve pas moshës 14 vjeç, një farë pranie e gjinekomastisë është normale dhe gjoksi mund të jetë disi i zhvilluar, por më pas ai reduktohet në 90% të rasteve.

Gjinekomastia mund të paraqitet në dy forma: “e vërtetë” – rritje e gjëndrës së gjoksit me përbërje si ajo e femrës dhe “fallso” apo “pseudo-gjinekomastia” – grumbullim vetëm i dhjamit. Sidoqoftë, shpesh tek i njëjti mashkull janë të pranishëm të dy fenomenet, zhvillimi i ekzagjeruar i gjëndrës si dhe grumbullimi i dhjamit. Përveç rasteve të lindura, gjinekomastia mund të shkaktohet edhe nga efektet anësore të disa barnave, abuzimi i alkoolit dhe marijuanës, etj. Shkaqe të tjera të gjinekomastisë mund të jenë edhe çrregullimet endokrine, tumoret dhe disa sëmundje kronike.

Shpesh nuk është e mundur të eliminohet gjinekomastia me dietë apo me ushtrime fizike. Në të tilla raste, zgjidhja e preferuar për këtë fenomen është ndërhyrja kirurgjikale, e cila rezulton efikase dhe përfundimtare. Lloji i operacionit ndryshon nëse bëhet fjalë për gjinekomasti të “vërtetë” apo “pseudo-gjinekomasti”. Ndërsa në rastin e parë është e nevojshme të hiqet e gjithë gjëndra e gjoksit e zhvilluar në mënyrë jo-normale, në të dytin preferohet procedura e mikro-liposucionit. Në gjinekomastinë e “vërtetë” ndërhyrja kryhet me një prerje rreth zonës areolare (kokrra e gjoksit) ndërsa në “pseudo-gjinekomasti” mjafton një vrimë e vogël në anë të gjoksit. Cikatricet në të dyja rastet janë pothuajse të padukshme. Operacioni i gjinekomastisë mund të kryhet në çdo moshë, pasi të ketë përfunduar zhvillimi fizik i mashkullit.

Çfarë duhet të dimë rreth ndërhyrjes?

  • Përpara ndërhyrjes kryhen egzaminimet pre-operatore (hemokromi dhe grupi i gjakut, testet e koagulimit të gjakut, testet biokimike, virale, analizat e urinës, vizita me kardiologun dhe EKG-ja e zemrës, vizita me anestezistin, etj.).
  • KEIT aplikon anestezi gjenerale totalisht endovenoze, e cila mban tensionin e gjakut të ulur, duke minimizuar gjakrrjedhjen e të nxirat, redukton në maksimum rrezikun për të vjella e marrje mendsh dhe për këtë lloj operacioni është më e sigurt e më komode për pacientin, si dhe bën të mundur që edhe kirurgu të punojë në kushte optimale.
  • Zgjat rreth 1 – 2 orë, në varësi të zonave që trajtohen.
  • Një natë qëndrimi në klinikë.
  • Dhembje të lehta-mesatare e mëse të durueshme.
  • Periudhë e shpejtë rikuperimi, me përmirësim gradual të zonave të trajtuara. Rezultati konsiderohet final, zakonisht 4 – 6 muaj pas ndërhyrjes.
  • Të nxira dhe ënjtje në zonat e operuara që largohen gradualisht brenda 15 – 20 ditësh.
  • Shenja të vogla 3 – 5 mm, pothuajse të padukshme, në zonat ku janë bërë prerjet apo janë futur kanjulat e liposucionit.

Këshillat pas operacionit:

  • Përdorim i antibiotikëve zakonisht deri 5 ditë pas operacionit.
  • Heqja e penjve 8 – 10 ditë pas ndërhyrjes.
  • Shmangia e lëvizjeve të sforcuara dhe ngritjeve të peshave për dy javë deri në 1 muaj pas ndërhyrjes.
  • Nuk duhet ngarë makina 1 – 2 javët e para pas ndërhyrjes.
  • Rifillimi gradual i aktivitetit fizik 1 – 2 muaj pas ndërhyrjes, sipas këshillave të staffit të KEIT.
  • Mbahen fasho elastike të posaçme për 4 javë pas operacionit.
  • Mjekime çdo 3 – 4 ditë me staffin mjekësor të klinikës.
  • Të shmanget ekspozimi i drejtpërdrejtë në Diell.
  • Rikontrollet me staffin e KEIT sipas protokolleve të klinikës.
Ke nevojë për ndihmë? Më shkruaj