Liposkulptura
Liposkulptura

E kush nuk do të dëshironte të kishte një trup të derdhur, me forma harmonike dhe sensuale? Për fat të keq, jo gjithmonë është e mundur. Një regjim alimentar jo i rregullt, një jetë frenetike, pa aktivitet fizik dhe me stres apo edhe trashëgimia, shkaktojnë depozitime të dhjamit dhe celulitit në zona të padëshiruara të trupit, duke krijuar kështu deformime të ndryshme. Dhjami i depozituar nën lëkurë është shumë i vështirë për t’u hequr me anë të dietës dhe aktivitetit fizik, të cilët shpesh, kanë si pasojë edhe humbje të dhjamit në zona të tjera të trupit apo edhe fytyrës, ku format e rrumbullakosura japin hijeshi dhe bukuri.

Rezultatet e operacionit të liposkulpturës janë pothuajse të përhershme, në rast se vazhdohet të mbahet një regjim alimentar i rregullt (duke marrë parasysh edhe plakjen fiziologjike të organizmit). Qëllimi i ndërhyrjes së liposkulpturës është heqja e dhjamit të grumbulluar në disa zona të trupit si barku, beli, shpina, vithet, kofshët, gjunjët, etj. Kjo arrihet duke thithur shtresat e tepërta të dhjamit të depozituara në pjesë të ndryshme të trupit, me shenja shumë të vogla (3 – 5 mm) e pothuajse të padukshme. Me një liposkulpturë, mesatarisht mund të hiqen deri 3 – 4 litra dhjamë të depozituar nën lëkurë ndërsa, në raste të veçanta, kur sasia e dhjamit është e madhe, mund të hiqen deri në 6 litra. Sipas nevojës dhe dëshirës së pacientit, sasia e dhjamit e mbledhur gjatë liposucionit mund të injektohet (lipofilling) në zonën e vitheve. Nëse akumulimi i dhjamit është i shoqëruar me një varje të dukshme të lëkurës së barkut, mund t’ju sugjerohet kombinim i liposkulpturës me abdominoplastikë.

Procedura e liposkulpturës është e mundur pasi të ketë ndodhur maturimi normal fizik dhe për këtë arsye, në përgjithësi, nuk ka kundër-indikim duke nisur që nga moshat 18 – 20 vjeç.

Çfarë duhet të dimë rreth ndërhyrjes?

  • Përpara ndërhyrjes kryhen egzaminimet pre-operatore (hemokromi dhe grupi i gjakut, testet e koagulimit të gjakut, testet biokimike, virale, testi i shtatzënisë, analizat e urinës, vizita me kardiologun dhe EKG-ja e zemrës, vizita me anestezistin, etj.).
  • KEIT aplikon anestezi gjenerale totalisht endovenoze, e cila mban tensionin e gjakut të ulur, duke minimizuar gjakrrjedhjen e të nxirat, redukton në maksimum rrezikun për të vjella e marrje mendsh dhe për këtë lloj operacioni është më e sigurt e më komode për pacientin, si dhe bën të mundur që edhe kirurgu të punojë në kushte optimale.
  • Zgjat rreth 2 – 6 orë, në varësi të zonave që trajtohen.
  • Qëndrohet 1 – 2 netë në klinikë.
  • Dhembje të lehta-mesatare e mëse të durueshme.
  • Të nxira dhe ënjtje në zonat e operuara që largohen gradualisht brenda 15 – 20 ditësh.
  • Shenja të vogla 3 – 5 mm, pothuajse të padukshme, në zonat ku janë futur kanjulat e liposucionit.
  • Periudhë rikuperimi e shpejtë, me përmirësim gradual të pamjes së zonave të trajtuara, rezultati konsiderohet final 4 – 6 muaj pas ndërhyrjes.

Këshillat pas operacionit:

  • Përdorim i antibiotikëve zakonisht deri 5 ditë pas operacionit.
  • Mjekime çdo 3 – 4 ditë deri në mbylljen e plagëve.
  • Heqja e penjve 8 – 10 ditë pas ndërhyrjes.
  • Shmangia e lëvizjeve të sforcuara dhe ngritjeve të peshave për dy javë deri në 1 muaj pas ndërhyrjes.
  • Nuk duhet ngarë makina 1 – 2 javët e para pas ndërhyrjes.
  • Rifillimi gradual i aktivitetit fizik 1 – 2 muaj pas ndërhyrjes, sipas këshillave të staffit të KEIT.
  • Mbahen çorape, geta apo veshje body elastike të posaçme për 4 javë pas operacionit.
  • Të shmanget ekspozimi i drejtpërdrejtë në Diell.
  • Rikontrollet me staffin e KEIT sipas protokolleve të klinikës.
Ke nevojë për ndihmë? Më shkruaj