White peeling
White peeling
Çfarë është white peeling?

White peeling është një trajtim estetik që aplikohet në periudhën shtator-mars (periudha e ftohtë e vitit), i cili konsiston në pastrimin sipërfaqesor të lëkurës. Parimi i funksionit të white peeling është “djegia” e lehtë e sipërfaqësore e lëkurës (nga acidet e frutave në përmbajtje të xhelit), duke nxitur rënien e shtresës sipërfaqësore të lëkurës ekzistuese dhe pastrimin e rigjenerimin e lëkurës së mbetur.


Cilat janë efektet e këtij trajtimi?

– Redukton rrudhat e holla dhe fine të lëkurës.
– Eliminon njollat nga dielli apo shtatzënia.
– Eliminon shenjat nga aknet dhe hiperpigmentimi.


Si kryhet ky trajtim?

Trajtimi kryhet me dy etapa:

  • Gel Peeling: pasi fytyra është pastruar mirë, xheli, i cili është një kombinim i acideve të frutave (acidi glikolik, acidi laktik, acidi salicilik), shpërndahet përmes një furçeje. Gjatë aplikimit ndihet një ndjesi e lehtë djegieje. Xheli mbahet për disa minuta në fytyrë dhe më pas bëhet shpëlarja e fytyrës me ujë të ftohtë derisa lëkura të mos djegë.
  • White Peeling: pasi fytyra thahet mirë, aplikohet kremi i cili bashkëshoqëron xhelin. Kremi e zbardh lehtësisht fytyrën, çka i jep emrin të gjithë procedurës.
    Ky krem këshillohet të mbahet për 6 — 12 orë pas përfundimit të trajtimit.

Cili tip lëkure është i përshtatshëm për këtë trajtim?

Tipi i lëkurës më i përshtatshëm për white peeling, në mënyrë të veçantë, është ajo me tendencë akneike, me pika të zeza dhe të yndyrshme.


Sa seanca këshillohen?

Nevojiten mesatarisht 4 — 5 seanca, për një rezultat maksimal.


Sa diferencë duhet të kenë seancat nga njëra-tjetra?

Seancat kryhen në një distancë kohore prej 3 — 4 javësh.


Sa kohë zgjat procedura?

Kohëzgjatja e procedurës është  20 — 30 minuta.


Ka dhembje?

Është një trajtim i thjeshtë dhe komod, prandaj nuk shoqërohet me dhembje.


Çfarë duhet të kem parasysh pas procedurës?
  • Të mbahet fytyra e hidratuar përmes një kremi hidratues.
  • Sa herë të ekspozohet në Diell të përdoret krem mbrojtës me SPF: 50.

Sa kohë zgjat rezultati?

Kohëzgjatja e rezultatit është mesatarisht 8 — 12 muaj, në varësi të karakteristikave individuale.


Kur mund ta shikoj rezultatin?

Efekti  bëhet i dukshëm rreth 2 javë pas seancës së parë dhe përmirësohet gradualisht pas çdo seance në vazhdim.


Ka efekte anësore?

Efektet anësore janë të rralla, kalimtare dhe të kurueshme.


Mund të shkoj në punë direkt pas trajtimit?

Pas përfundimit të procedurës, lejohet të aplikohet një make up i lehtë (pasi të jeni këshilluar edhe me mjeken mbi make up-in që përdorni) dhe mund t’i riktheheni jetës së përditshme direkt pas trajtimit.


Mund të bëj trajtimin në çdo periudhë të vitit?

White peeling është një trajtim estetik që aplikohet vetëm në periudhën shtator -mars (periudha e ftohtë e vitit).


Mund ta kryej trajtimin nëse jam shtatzënë?

Trajtimi nuk rekomandohet gjatë shtatzënisë, duke qenë se efektet e tij nuk janë të studiuara dhe janë të panjohura për këtë periudhë.


A mund ta kryej trajtimin nëse jam duke ushqyer me gji?

Po, ky trajtim nuk përbën asnjë rrezik për fëmijën.


Ke nevojë për ndihmë? Më shkruaj